Nga 75 mijë në 215 mijë lekë, Tatimet publikojnë pagat indikative për mjekësinë dhe estetikën
Nivelet variojnë nga 75 mijë deri në 215 mijë lekë, kontrolle më të forta ndaj informalitetit.
Administrata Tatimore ka publikuar listën e pagave indikative për profesionet në sektorin mjekësor dhe atë të shërbimeve të kujdesit personal, duke sinjalizuar një fazë të re të kontrollit mbi deklarimet e pagave në aktivitete me risk të lartë informaliteti. Sipas të dhënave, pagat referuese variojnë nga 75 mijë lekë për profesionet bazë si berberët, deri në 215 mijë lekë për mjekët kirurgë.
Kjo listë do të përdoret si një instrument referues në analizën e riskut, ku të dhënat e deklaruara nga bizneset në listëpagesa do të krahasohen me nivelet indikative për secilin profesion. Diferencat e theksuara, veçanërisht kur pagat deklarohen nën këto nivele, do të konsiderohen indikatorë risku dhe do të çojnë në kontrolle të thelluara nga administrata tatimore.
Fokus te nën-deklarimi dhe praktikat abuzive
Autoritetet kanë theksuar se në vëmendje nuk janë vetëm pagat e ulëta të deklaruara, por edhe praktikat e devijimit përmes ndryshimit të kategorive të profesionit, një metodë e përdorur për të ulur barrën e kontributeve. Tatimet paralajmërojnë se çdo mospërputhje e tillë do të trajtohet si tentativë për shmangie dhe do të shoqërohet me masa administrative.
Sektorët e mjekësisë private dhe estetikës konsiderohen ndër më problematikët për deklarimin real të pagave, për shkak të të ardhurave të larta dhe strukturave fleksibël të punësimit, çka i bën më të ekspozuar ndaj informalitetit.
Rritja e kontributeve dhe presioni për deklarim korrekt
Kjo nismë lidhet drejtpërdrejt me rritjen e bazës së kontributeve të sigurimeve shoqërore, pasi deklarimi i pagave reale përkthehet në më shumë të ardhura për skemat e sigurimeve dhe në pensione më të larta për punonjësit në të ardhmen.
Administrata Tatimore u bën thirrje bizneseve të reflektojnë saktë pagat reale të punonjësve, duke shmangur penalitetet dhe kontrollet. Ky hap është pjesë e një strategjie më të gjerë kundër informalitetit, ku kontrollet po orientohen drejt një modeli më inteligjent dhe të targetuar, të bazuar në analiza risku dhe krahasime sektoriale.